| |
FJALËT E QIRIRIT
Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t'u ap pakëzë dritë,
Natënë t'ua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t'u ndrinj mir' e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s'e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s'dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t'u ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall' e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M'është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k'ënda t'u bënj mirë,
Të mos mbeti n'errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn' e shkretë
Për atë Zotn' e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te Perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin' e urtësinë,
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.
O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t'i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.
Gjithë tuajt' i kam parë,
Mëm' e at' e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.
Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer' e ndryshuar,
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj' e balt' e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.
Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul' e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t'u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët' e gjuhësë zjarrtë?
Botuar së pari në revistën "Drita", nr.1, Stamboll, 1884, me titull "Qiriri". Eshtë e para
vjershë që poeti ka botuar shqip.
Kontinenti
01-07-06, 05:06
LUTJA E NAIMIT
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Det i p'an'i mirësisë, q'emrin tënd s'e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë
Epu sheshevet lul' e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj' e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë
Epi pjergulls' e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj' e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh' e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.
Fundi i poemës "Bagëti e Bujqësia", botuar në Bukuresht më 1886. Në fund të poemthit
shënohet data: "Më 5 të majit 1886". Firmon: "Bërësi: N.H.F."
Kontinenti
01-07-06, 05:07
GJUHA JONË
Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm' udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.
Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.
E ka nderuar Zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.
Sa ishte trimëria
N'atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s'kish nonjë vënt tjetrë.
Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q'i shkruan istoria!
Ajo ish koh' e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.
O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s'është koh'e parë,
Tani lipsetë dritë.
Të shkruajm' gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç'është e ç'ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.
pa shihni ç'gjuh' e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç'e bukur'edh'e lirë,
Si gjuhë perëndie.
Shum'e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s'e kishin të parët.
Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t'i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.
Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S'mbulohetë me remë.
Kontinenti
01-07-06, 05:08
PELLASGËT-SHQIPËTARËT
Ishte një ditë
Që pellasgjitë
Posi një dritë
Mbuluan dhenë
Duall ng' Asia
Si mizëria
Dhe me ania
E hodhë denë.
Pas pakë herë,
Duke përzjerë
Ca me të tjerë,
Bënë elinët,
Dhe duke ndarë
Syresh një farë,
Si ka të ngjarë,
Bëri llatinët.
Edhe të tjerët
E më të ndjerët,
Të papërzjerët,
Pellasgjinj mbenë
Maqedhoninjtë
E ilirinjtë
E mollosinjtë,
Gjith' ata qenë.
Dhe ata janë
Prindërtë tanë,
Pastaj na thanë
Na shqipëtarë
Mundim të themi
Ne ata jemi,
Atë gjak kemi,
Si dhe shtyparë. { tiparin }
Thot' Herodoti,
Në Tomor zoti
Shtëpi qëmoti
Kishte Dhodhonë
Eshtë m'e vjetër
Ngaha çdo tjetër,
Shumë më tepër,
Kjo gjuha jonë.
Ne kurdoherë
Burra të ndjerë
Edhe të vlerë
Jemi treguar;
Me grekërinë
Dhe me Persinë,
Me gjith' Asinë
Kemi lëftuar.
Me Lekën vamë, { Aleksandri i math }
Muntmë Daranë,
Datën i dhamë { frikën }
Gjithë Asisë
Burr' u dëftyem,
Të gjith' i thyem,
Përmbys e kthyem
Fron' e Persisë.
Të tërë dhenë,
Den' e sterenë,
Sa kombe qenë
Në këmb i vumë
Dhe mbretëruam
Kudo që shkuam,
Tekdo lëftuam,
Vëndin e zumë.
Me Pirron vamë
Romës i ramë,
Llatint' i vramë
E i tmeruam;
Me Skënderbenë
Tyrqve sa qenë
U dhamë dhenë
Dhe i dëbuam.
Kush i goditi
Posi petriti
E i cfiliti
Tyrqit, barbarët?
Bota s'kuxonte
Që t'u qëndronte,
Po kush lëftonte?
Ne shqipëtarët.
Pastaj u ndruam,
Se s'kupëtuam
Dhe nuk e çquam
Të mirën tënë
Gjaknë për botë
E derthmë kotë,
Njeri ç'të thotë?
Nuk ishte thënë!
Mbajtmë Tyrqinë,
Ngjallmë Greqinë,
Ndihm' Italinë.
Po Shqipërinë?
Pse s'u munduam?
Për kë lëftuam?
Neve ç'fituam?
Ç'kemi taninë?
Kontinenti
01-07-06, 05:08
EMRI I ZOTIT
Zot i vërtetë,
Bota e tërë
Gjithë ç'ke bërë
E ç'ka në jetë
Të gjitha ç'janë
Yje dhe diej,
E dhé e qiej,
Një gjuhë kanë,
Që thotë emrin tënt!
Ngado që shikonj,
Atë emër dëgjonj.
E shoh më ç'do vënt.
Dheu, që rrimë ne,
Duke mbleruar,
E kam dëgjuar,
Që thotë se ç'je.
Yjtë me dritë,
Duke kërcyer,
E duke kthyer,
Nat' edhe ditë,
Re me gjëmim
Zoqtë me fjalë,
Deti me valë,
Lumi me rrëmbim
Lulja me erë,
Dhe me bukuri,
E me mituri,
Kur çel në verë,
Emrin tënt thonë,
Ty të tregojnë
E të lëvdojnë,
Ty gjithë monë!
Po njeriu, o Zot!
S'ta di emrin tënt,
Se s'gjendet me mënt.
Ah! S'e thotë dot;
Njeriu nukë munt,
Se gjuhë s'i dhe
Që të thotë ç'je,
O fuqi pa funt!
Dielli kur del,
A tek perëndon,
Zogu kur këndon,
E gjethi tek çel,
Bukur tregojnë,
Emrin që ke,
Rrëfejnë ç'gjë je,
Dhe më gëzojnë.
Në gjithë botë
Vetëm njeriu s'di
Rri si çilimi
E s'mundet ta thotë!
Me zë të zjartë,
Donja të flisnja,
Edhe t'i grisnja,
Retë si kartë,
Si vetëtima;
Apo si lumi,
Që s'e zë gjumi,
Me oshëtima!
Falmë nga togu
Q'është e ç'shohëm
Nga gjithë ç'njohëm,
Zën' e një zogu,
Të rri më një vënt,
Edhe më lerë,
Të them një herë,
Një herë emrin tënt.
Kontinenti
01-07-06, 05:09
UJKU DHE QËNGJI
Ujku pa fe
Erth në kope
Dhe, si s'pa qën,
U fut nër dhën,
Një qënq zuri
Zëmërguri.
Qëngji i tha:
"Ore vëlla?
E po përse?
As më rrëfe
Se ç'faj të kam?
I vogël jam."
Ujku i tha:
"Do të të ha!
A e mba mënt
Më këtë vënt
Kur më shave?
Më the xhave!" { xhave -- qën që leh më kot }
Qëngj' i thotë:
"E ke kotë,
Unë sivjet
Jam përmbi dhet."
"Mase, i tha,
Qe yt vëlla."
"Vëlla, tha, s'kam,
I vetëm jam."
"Fort mir', i tha,
S'paske vëlla,
Po jot ëmë
Ç'pati prëmë { prëmë -- mbrëmë, dje në darkë }
Që më qërtoi
E më kallëzoi?
Do më zinin,
Të më vrinin!"
Qëngji i tha:
"Dy muaj ka
Që s'më rron më,
Ah, ah, im më!"
Dhe s'duroi dot,
Po qau me lot.
"E yt atë,
Një brigjatë,
Më pat vrarë
Mon' e parë,"
Tha makuti,
Shpirtladuti,
Dhe më s'mënoi;
Më s'e mundoi,
Po posht' e vu
Edhe e zu
Nga lëfyti
Edh' e mbyti,
Se të ligut,
Zëmërshtrigut,
Nuk i vjen keq
Për një që heq. { të heqësh -- të vuash }
Botuar së pari në revistën "Dituria", 10, 1885
Kontinenti
01-07-06, 05:09
TRATHËTORËTË
Shokë, kemi ne mest tënë
Shum' armik' e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s'kanë gjë në dorë.
Harruanë mëmëdhenë
Dh' e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qofte thënë!
Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një [ FJALE PA DOGANE ]ë shtrigë,
Të ndyr' e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.
Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!
Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!
Buk' e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!
Miqt' armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç'është kjo e madhe punë!
Fajn' e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?
Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,
Se mbretëron e vërteta,
S'del kurrë gënjeshtr' e shkretë
T'ish ashtu, qe prishur jeta,
S'kish mbetur gjë e vërtetë.
Ata turpinë fitojnë,
Nderr' e tyre posht' e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.
Nuk është kurrë haruar
Dh'e mira dh'e lig' e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S'ka mbeturë gjë në jetë.
Lerini, pa do ta gjëjnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s'e dinë c'bëjnë,
Janë të verbër e s'shohin.
O, popo ç'turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s'janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.
Me të huajnë u bënë,
Me armikn' e Shqipërisë,
S'duanë gjuhënë tënë
Armikët' e Perëndisë!
Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç'bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun' e lig' edh' e mërzitur.
Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s'e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t'u vinë.
Vëllazërin' e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s'dinë se ku venë.
Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt' e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.
|
|
|