Gjergj Marku
Prej një viti e gjysmë në Bashkinë e Rrëshenit ka ardhur si vullnetar i Korpusit të Paqes dhe një djalë i ri amerikan nga Karolina e Veriut të SHBA-së, Daniel Adams. Është një djalë tipik amerikan, me flokët bjond, sytë blu, pakëz i gjatë, hollak, me nuhatje intuitive, natyrë sportive, mjeshtër i kompjuterit, por që gjithsesi, bën jetën e thjeshtë të një djaloshi mirditor, nga ata që rrinë shpenguar rrëzë një peme, në një bordurë rruge apo në një kafene. Ai ka ardhur në Mirditë si vullnetar i Korpusit të Paqes falë ngasjes që ka patur dhe i ati që para 40 vitesh si vullnetar i këtij Korpusi në Kolumbi. Dhe i ati ka ndenjur atëhere rreth dy vite dhe po kaq po bën dhe i biri. Që kur ka ardhur, është përshtatur në mënyrë të përkryer në Rrëshen, aq sa nuk dallon nga një djalosh qytetas këtu.
Këto ditë erdhën që nga Karolina për ta parë birin e tyre dhe prindërit e tij, babai Jerry Adams, një burrë rreth të 66-ve, Jan, nëna e Danielit e cila është pedagoge në një prej universiteteve të Karolinës së Veriut. Adams-ët thonë se kanë patur interes prej kohësh për t’u njohur me vendet e Europës Lindore dhe se, më së shumti, kanë rënë në kontakt me Moldavinë, sepse vetë shteti i Karolinës së Veriut ka lidhje me këtë shtet. Jerry ka punuar me biznesmenët moldavë për t’i binjakëzuar me ata amerikanë dhe ka patur eksperienca interesante me ta. Prindërit e Danielit vizituan gjithandej Mirditën, dhe disa vise të vendit, për t’u njohur me historinë e këtij vendi, doket dhe zakonet, por ajo që i ka prekur më shumë ata është historia e Nuses së Shtufit këtu në Mirditë, vdekur nën duvakun e kuq, si veshje e moçme e nuseve të këtyre anëve. Pyetja që ata i bënin vazhdimisht piktorit Pjetër Marku ishte: a është e vërtetë vallë kjo histori?!...
Ndërsa dëgjon historinë e kësaj nuseje-legjendë, Rebekës 20 -vjeçare, që studion në një universitet të Karolinës së Veriut, i shkojnë lotët çurk, dhe më pas duket shumë “e dashuruar” me këtë portret dhe historinë që mbart. Nuk mund të rezistojë pa përjetësuar një foto me portretin interesant të nuses, që plot 80 vite më parë, falë një zakoni absurd, nuk mundi t’i vidhej sëmundjes, edhe pse po e shihte se po vdiste nën duvakun e kuq. “Kam studiuar shumë për artin, - thotë ajo,- por piktura këtu më pëlqeka më tepër, sidomos peisazhi. Pashë këtu kishën e Rubikut, udhët këndej, por ja që janë si atje, tamam, edhe këtu në pikture, ndërsa këtë nusen kam dëshirë ta marr me vete…”